Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë në kuadër të pjesëmarrjes në protestën gjithëkombëtare “Liria ka emër – Drejtësi për Çlirimtarët”, zhvilloi një takim vëllazëror me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi.
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në rajon, proceset euroatlantike, si dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
Ahmeti theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të negociatave me BE-në, ndërsa nënvizoi se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë paralelisht me përkushtim të plotë, duke respektuar standardet demokratike dhe evropiane.
“Rruga drejt Brukselit është rrugë e përbashkët – një projekt strategjik që bashkon të gjithë në rajon dhe që garanton paqen, zhvillimin dhe perspektivën tonë evropiane,” deklaroi Ahmeti.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes forcave progresiste shqiptare, me theks të veçantë në forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.(INA)


