Autoritetet indiane kanë vendosur të mos shtyjnë më afatin për fabrikat farmaceutike që duhet të përmirësojnë pajisjet dhe kushtet e prodhimit sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), pas një skandali të rëndë që përfshiu vdekjen e të paktën 24 fëmijëve nga një shurup për kollë i prodhuar në vend.
Produktet që shkaktuan vdekjet ishin të firmës “Sresan Pharmaceutical”, konkretisht shurupi “Coldrif”, që u gjet se përmbante 48.6% diethylene glycol (DEG), një substancë toksike rreth 500 herë mbi normën e lejuar, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Qeveria kishte vendosur që të gjitha fabrikat të përmbushnin këto standarde deri në fund të vitit 2024, por ndërkohë disa kompani më të vogla kërkuan shtyrje, duke argumentuar kosto të larta dhe rrezik falimentimi. Megjithatë, pas tragjedisë së fundit, autoritetet refuzuan zgjatjen e afatit.
Pas zbulimeve, autoritetet mbyllën fabrikën dhe arrestuan themeluesin e kompanisë, S. Ranganathan, për akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Po ashtu, mjeku që kishte përshkruar shurupin në disa raste, përfshirë edhe te fëmijët që humbën jetën, u arrestua.
Një nga rastet më të rënda është ai i Mayank Suryavanshi, një fëmijë 3 vjeç nga Madhya Pradesh, i cili vdiq më 9 tetor nga dështimi akut i veshkave, pasi kishte konsumuar Coldrif.
“Nuk e imagjinonim kurrë që një ilaç i zakonshëm mund të kthehej në helm”, tha babai i tij, Nilesh, duke i kërkuar qeverisë që të mos lejojë që kjo tragjedi të ndodhë më.
India ka rreth 3,000 kompani farmaceutike dhe mbi 10,000 fabrika. Disa përfaqësues të industrisë paralajmërojnë se kompanitë e vogla nuk do përballojnë dot kostot për përmirësimet dhe se mund të ketë mungesa të ilaçeve dhe humbje vendesh pune.
Nga ana tjetër, autoritetet janë të vendosura të mos dorëzohen. “Nuk mund të shtyjmë më afatet, njerëzit po vdesin”, tha një zyrtar për Reuters.
Qeveria planifikon të heqë një rregull të përkohshëm të vendosur në 2023, që kërkon testim shtesë për ilaçet që eksportohen, sapo të gjitha fabrikat të certifikohen sipas standardeve të OBSh-së. /Klankosova.tv