Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi repartin e epidemiologjisë në Gostivar, ku edhe vetë mori vaksinën kundër gripit sezonal.
“Sot ndodhem në Gostivarin tim të lindjes, ku edhe u vaksinova dhe përmes shembullit personal dua të theksoj rëndësinë e vaksinimit në kohë, si masë më efektive parandaluese për mbrojtjen e shëndetit. Apeloj qytetarët që të mbrohen me kohë nga gripi sezonal, veçanërisht i ftoj personat që bëjnë pjesë në grupet e rrezikut, të paraqiten përmes aplikacionit vakcinacija.mk ose tek mjeku i tyre amë,” tha gjatë vizitës ministri Azir Aliu.
Në nivel shtetëror, deri më tani janë paraqitur rreth 49 mijë qytetarë për vaksinim kundër gripit sezonal. Vetëm në ditën e parë janë vaksinuar mbi dy mijë persona.
“Ky është me të vërtetë një interesim i madh, që tregon vetëdije të shtuar për rëndësinë e mbrojtjes nga gripi, dhe njëherësh e vërteton edhe më shumë nevojën dhe rëndësinë e kësaj mase parandaluese. Këtë vit, Ministria ka siguruar numrin më të madh të vaksinave kundër gripit sezonal – 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur ‘Abot’ nga Holanda,” theksoi Aliu.
Me vaksinimin falas përfshihen kategoritë e rrezikut të popullsisë, siç janë: personat e moshuar mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga mosha 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale për të moshuar dhe punonjësit e këtyre institucioneve.