Prokuroria e Lartë Publike ka lëshuar një vendim me të cilin mbështet ankesën e Unionit Demokratik Boshnjak (BDS) dhe Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNS) në Maqedoninë e Veriut, kundër vendimit të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup më 19 maj 2025, transmeton Anadolu.
BDS dhe BNS, të përfaqësuara nga avokatja Edina Zekiroviq Fazllagiq nga Shkupi, më 19 prill 2024 ngritën padi penale kundër Ivan Stoilkoviqit, kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoninë e Veriut dhe zëvendëskryeministër aktual në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe ministër i marrëdhënieve mes komuniteteve, për mohimin dhe talljen me viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, Bosnjë e Hercegovinë.
Konkretisht, në prill të vitit 2024, në një postim publik në rrjetin social Facebook, Stoilkoviq e përshkroi gjenocidin e Srebrenicës si një “Disneyland nekrofil”.
Për shkak të këtij postimi, BDS dhe BNV ngritën padi penale kundër Stoilkoviqit për veprën penale “Miratim ose justifikim i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës” sipas nenit 407-a në lidhje me nenin 403 të Kodit Penal.
Prokuroria Themelore Publike, pa shpjegime, veprimet për të cilat u denoncua Stoilkoviqi, përkatësisht përdorimin e termit “Disneyland nekrofil”, i quajti liri e shprehjes në politikë dhe gjithashtu, pa arsye të shpjeguara mjaftueshëm, e riklasifikoi aktin si Shpërndarje e materialit racist dhe ksenofobik përmes një sistemi kompjuterik, neni 394-g, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Me riklasifikimin e veprës penale, Prokuroria Themelore Publike e hodhi poshtë padinë penale, me arsyetimin se vepra penale “E regjistruar ose e riklasifikuar, nuk është vepër penale që ndiqet penalisht sipas detyrës zyrtare”.
Të pakënaqur me vendimin e Prokurorisë Themelore Publike, BDS dhe BNV paraqitën ankesë në Prokurorinë e Lartë Publike, e cila, duke vepruar sipas ankesës së avokates së palëve të dëmtuara BDS dhe BNV, avokates Edina Zekiroviq Fazllagiq, ka lëshuar vendim me të cilin pranohet ankesa dhe anulohet vendimi për rrëzimin e padisë penale, ndërsa urdhërohet Prokuroria e shkallës së parë të vazhdojë procedurën.
“Ky moment në procesin e kërkimit të drejtësisë për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, i njohur dhe i konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, i njohur për publikun global si krimi më i madh kundër njerëzimit në historinë e kohëve të fundit të Evropës, ngjall shpresë tek qytetarët se drejtësia do të vihet në vend, ndërsa duke vërtetuar fajësinë e të pandehurit, do të dërgojë mesazh se mohimi dhe tallja e gjenocidit të Srebrenicës si dhe çdo krimi tjetër kundër njerëzimit, përbën gjuhë të urrejtjes dhe nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, thuhet në deklaratën e BDS-së.