Një ngjarje tragjike raportohet se ka ndodhur brenda një familje kosovare më 10 tetor në Gjermani, në qytetin e Siegenit.
Atje një burrë nga Kosova dyshohet se ka mbytur gruan e tij e më pas edhe veten.
Informacionet fillestare Klankosova.tv i ka siguruar përmes lexuesve të vet, e më pas është interesuar dhe ka dërguar pyetje në Policinë e Siegenit.
Autoritetet gjermane e kanë konfirmuar rastin përmes një përgjigje për Klankosova.tv.
Policia zbuloi detaje rrëqethëse për ngjarjen.
Në orët e para të mëngjesit të së premtes, më 10 tetor, një operacion policor u zhvillua në një kompani në Siegen. Punonjësit kishin gjetur të varur në një sallë të kompanisë (Maccostrase në lagjen Eiserfeld). Viktima (39-vjeçar) ishte po ashtu punonjës i kompanisë”, deklaron policia.
Hetimet treguan se nuk kishte prova për ndonjë krim dhe se vdekja cilësohej si “Vetëvrasje”.
Por, më vonë, po atë ditë, gruaja e viktimës raportohet se u gjet e vdekur në banesën e tyre në Siegen.
Për shkak të ngjarjes, u krijua një skuadër e veçantë që do ta hetonte rastin. Pas autopsisë së bërë në trupin e 40-vjeçares, e cila konfirmohet të jetë shtetase gjermane, u konstatua se ajo është mbytur.
Sipas policisë së Siegenit, nuk ka prova se dikush jashtë kësaj familje mund të jetë i përfshirë, dhe se i dyshuari kryesor është bashkëshorti i saj.
“Në bazë të gjetjeve të deritanishme tregohet fuqishëm se bashkëshorti 39-vjeçar është përgjegjës për vdekjen e 40-vjeçares. Hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe ende janë duke vazhduar. Rezultate të mëtejshme priten”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë për Klankosova.tv.
Bëhet e ditur se çifti bashkëshortor ka dy fëmijë të mitur, të cilët aktualisht janë nën kujdesin e Zyrës së Mirëqenies së të Rinjve.
Interesant është fakti se për rastin nuk është raportuar ende nga asnjë media në Gjermani, dhe këtë e konfirmon edhe Policia.
Prandaj, sipas përgjigjes policia tha se meqë nuk ka pasur asnjë kërkesë nga mediat, është vendosur që, për të mbrojtur privatësinë e të mbijetuarve – veçanërisht të fëmijëve – të mos bëhet asnjë komunikim i qëllimshëm me shtypin.
Jozyrtarisht mësohet se trupi i 39-vjeçarit do të arrijë në Kosovë të shtunën.