Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se ka autorizuar CIA-n për të zhvilluar operacione sekrete brenda territorit të Venezuelës, një deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta nga udhëheqësit e këtij vendi në Amerikën Latine, raporton BBC.
Në javët e fundit, forcat amerikane kanë ndërmarrë të paktën pesë sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, duke lënë të vrarë 27 persona.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se SHBA po “shikon edhe nga toka” për të ndërmarrë goditje të tjera kundër karteleve të drogës në rajon.
Presidenti Nicolas Maduro, legjitimiteti i të cilit është vënë në pikëpyetje nga komuniteti ndërkombëtar pas zgjedhjeve të diskutueshme të vitit të kaluar, iu drejtua publikut në televizion duke bërë thirrje për paqe me Shtetet e Bashkuara. Prania e shtuar ushtarake amerikane pranë Venezuelës ka rritur shqetësimet në Karakas për një ndërhyrje të mundshme ushtarake.
Sipas raportimeve të New York Times, autorizimi i Trump-it i jep CIA-s të drejtën për të vepruar në mënyrë të pavarur brenda Venezuelës, ose si pjesë e një operacioni më të gjerë ushtarak amerikan.