Trafikantët e lëndëve narkotike po përdorin gjithmonë e më shumë pagesat me kriptomonedha ndërkohë që paralelisht po përdorin rrjetin Dark Web për aktivitetin e tyre në një tentativë për të humbur gjurmët.
Në strategjinë Kombëtare për Krimin e Organizuar 2026-2030 nënvizohet se avancimi teknologjik sëbashku me të mirat që sjell kur përdoret për aspektet pozitive ofron edhe mënyra më të sofistikuara për ata që e përdorin për aktivitete të jashtëligjshme.
“Kohët e fundit është identifikuar një trend rritës në përdorimin e kriptomonedhave për pagesa në tregun e lëndëve narkotike duke mundësuar në këtë mënyrë fshehjen e gjurmëve financiare si dhe përdorimi i rrjetit DarkWeb për të shpërndarë lëndët narkotike duke ruajtur në këtë mënyrë anonimitetin e shpërndarësve të drogës.
Qeveria nënvizon gjithashtu se Shqipëria është një vend transit për lëndët e heroinës dhe kokainës dhe sasitë e destinuara për tregun e brendshëm janë të vogla. Qëllimi është dërgimi i saj drejt vendeve të BE-së.
“Sa i përket trafikimit të lëndëve narkotike, me përjashtim të lëndës së cannabis-it, ku Shqipëria është vend origjine, në kategoritë e tjera të lëndëve narkotike duke përmendur këtu lëndët e heroinës dhe kokainës, Shqipëria rezulton si vend tranzit. Sasitë e lëndëve narkotike të destinuara për tregun e brendshëm janë të vogla dhe pjesa më e madhe kalon tranzit nëpër territorin e Shqipërisë, me destinacion vendet e BE-së.
Në vitet e fundit, është zgjeruar aktiviteti i trafikimit të kokainës, e prodhuar në vendet e Amerikës së Jugut (Kolumbi, Ekuador dhe Brazil), e transportuar në rrugë detare drejt Portit Detar të Durrësit për të vijuar më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian” thuhet në strategji.
Strategjia sjell në vëmendje edhe format me të cilat këto fenomene mund të luftohen duke vënë theksin tek trajnimi i oficerëve, bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare për të shkëmbyer informacion duke rritur kapacitetet për të goditur rrjetet kriminale./ Monitor