Sonte Uskana u bë arenë e një tubimi madhështor ku qytetarët u mblodhën për të shprehur mbështetjen e tyre të palëkundur për rrugën kombëtare që udhëhiqet nga Aleanca Kombëtare për Integrim.
Në një atmosferë të zjarrtë dhe emocionale, qytetarët e Uskanës folën me një zë të vetëm,zërin e krenarisë, të dinjitetit dhe të besimit të palëkundur në rrugën që nisën dekada më parë për barazi, drejtësi dhe të drejta të barabarta për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Ky tubim madhështor është dëshmi se ideali që na bashkoi në vitet më të vështira, sot është më i fortë se kurrë,” u theksua gjatë fjalimeve, duke nënvizuar se populli nuk dorëzohet dhe nuk harron rrënjët e veta, thekson Ali Ahmeti, njofton TS.
Ali Ahmeti, i cili ka qenë për vite figura kyçe e proceseve politike dhe kombëtare të shqiptarëve në vend, e cilësoi këtë mobilizim si një mesazh të qartë për unitet dhe vazhdimësi të vizionit kolektiv.
“Uskana është këtu, krenare dhe në krah të së drejtës!” u shpreh Ahmeti, duke falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen.
Tubimi i sontëm përforcoi idenë se më 19 tetor, shqiptarët do të flasin qartë në kutitë e votimit, duke mbështetur ata që i kanë qëndruar gjithmonë pranë interesit kombëtar dhe qytetar./TS