Një operacion i befasishëm i policisë është zhvilluar gjatë mesditës së sotme në Elbasan, duke çuar në arrestimin e të paktën 2 personave të njohur si pjesë e botës së krimit dhe shoqërimit të disa të tjerëve.
Burime bëjnë me dije se operacioni është zhvilluar rreth orës 15:30 në një prej lokaleve të njohura përgjatë aksit rrugor Elbasan-Ish-Metalurgjia, në fshatin Katund i Ri.
Forcat e rendit te mbështetur nga forca te tjera policore kanë ndërmarrë një aksion të mirëorganizuar, duke rrethuar fillimisht të gjithë zonën përreth lokalit, përpara se të ndërhynin brenda në ambientet e restorantit ku dyshohej se ndodheshin eksponentët kriminalë. Atyre iu gjetën gjatë kontrollit edhe armë pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje.
Informacionet e marra në rrugë operative çuan në ndërhyrjen e menjëhershme të forcave speciale, të cilat kanë neutralizuar dhe arrestuar disa persona të dyshuar.
Operacioni është cilësuar si një nga më të rëndësishmit e zhvilluar kohët e fundit në Elbasan, një qytet që prej vitesh përballet me prani të lartë të grupeve kriminale.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi identitetin e të arrestuarve apo akuzat konkrete ndaj tyre, ndërsa pritet që në orët në vijim Policia e Shtetit të dalë me një njoftim zyrtar.
Ky aksion vjen në kuadër të përpjekjeve të intensifikuara të strukturave të rendit për të goditur krimin e organizuar dhe për të garantuar sigurinë publike në një nga zonat më problematike të vendit.