Përfaqësuesi i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski për luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar që drejtësia të nisë nga ata që e kontrollojnë realisht ekonominë e vendit – oligarkët që dolën nga procesi kriminal i privatizimit.
Sipas Ademit, 10 njerëzit më të pasur në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjithë nga etnia maqedonase, zotërojnë një pasuri të përbashkët prej 3.24 miliardë eurosh, shumica prej tyre të krijuar gjatë periudhës së tranzicionit dhe përmes përvetësimit të pasurisë publike.
Shtatë nga dhjetë kompanitë më të fuqishme në vend janë produkte të drejtpërdrejta të privatizimit kriminal. Dhe sot, këta individë kontrollojnë jo vetëm ekonominë, por edhe politikën,” – theksoi Ademi.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Mickoski që, përpara se të flasë për korrupsion, të hedhë një sy djathtas dhe majtas, ku ndodhen oligarkët e krijuar nga qeverisjet e mëparshme të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, por edhe përpara, ku sipas tij, Mickoski duhet të shohë “portretin e vet të pasqyruar në dritaren e veturës luksoze që e vozit në emër të popullit.”
“Ata që kanë çelësat e veturave Maybach e Mercedes janë po të njëjtit që i kanë dhënë Mickoskit çelësat e pushtetit. Janë oligarkët,” – deklaroi prerë Ademi.
Në këtë kontekst, ai përsëriti qëndrimin e BDI-së dhe Aleancës Kombëtare për Integrim për një veting të plotë dhe të pakompromis për procesin e privatizimit, si një nga plagët më të mëdha të drejtësisë ekonomike në vend.