Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media theksoi vendosmërinë e tij për ta ndryshuar matricën dydekadëshe të menaxhimit të komunës me arsyetimin “nuk mundemi”, kur bëhet fjalë për realizimin e projekteve të mëdha në interes të qytetarëve. Ai theksoi se kandidatura e tij nuk është betejë kundër personave, por kundër mentalitetit të “nuk mundem”, i cili, siç tha ai, e ka penguar zhvillimin e Çairit tash e 20 vjet.
Ai kujtoi se më shumë se 20 vjet, që nga themelimi i komunës, Çairi është udhëhequr pa plan, pa ide dhe pa guxim, ndërsa qytetarët janë mësuar me arsyetime dhe me shprehjen dëshpëruese “nuk mundet”.
“Ka pasur shumë premtime, në çdo fushatë zgjedhore. Por pas tyre gjithmonë ka ardhur: ‘Nuk mundet’. Më shumë se 20 vjet një klikë na ka instaluar një mënyrë të të menduarit se ‘ne nuk mundemi’, se ‘kjo është fati ynë’. Unë hyra në këtë garë jo për ta zëvendësuar një person me një tjetër, por për ta thyer atë mënyrë të të menduarit”, theksoi Osmani.
Ai potencoi se ndryshimi që ai propozon nuk është vetëm infrastrukturor, por edhe transformim mendor dhe politik, me një vizion të qartë për të ardhmen e Çairit.
“Në çdo institucion ku kam punuar, e kam sfiduar mentalitetin se ‘nuk mundet’. Edhe kur hyra në negociatat për emrin, për NATO-n, për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, të gjithë thoshin ‘nuk mundet’. Por unë gjithmonë kam hyrë me bindjen se duhet të sfidohet, sepse guximi është ai që i realizon ndryshimet, jo vetëm idetë”, tha Osmani.
Ai e lidhi këtë mesazh me projektin më të rëndësishëm në programin e tij – realizimin e “Sheshit Liria” dhe të rrugës nëntokësore, e cila pritet të zgjidhë problemin më të madh infrastrukturor në komunë dhe ta transformojë atë në një qendër moderne dhe funksionale.
“Mund të kemi shumë ide, por duhet të kemi guximin të marrim përgjegjësi për idetë e mëdha”, theksoi Osmani.
Ai nënvizoi se realizimi i projektit “Sheshi Liria” dhe rruga nëntokësore tashmë ka filluar me fazën përgatitore, me planifikimin e mjeteve nga Bashkimi Evropian, Qeveria, Qyteti i Shkupit dhe fondet komunale, me qëllim sigurimin e një financimi të qëndrueshëm.
“Ky projekt do ta thyejë mentalitetin e ‘nuk mundet’. Guximi është ai që i zgjidh sfidat e mëdha jetësore dhe shoqërore”, përfundoi Osmani.