Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët, theksoi se kjo fushatë zgjedhore ka vendosur një standard të ri në sjelljen politike dhe në komunikimin me qytetarët, duke u fokusuar ekskluzivisht në zgjidhje reale dhe projekte konkrete për të ardhmen e komunës.
“Mendoj se fushata është e qetë dhe është shumë e rëndësishme të mbetet e tillë. Kur hyra në këtë proces, mendova se me fushatën duhet të vendosim një standard të ri – të flitet me projekte konkrete, të flitet me një vizion të qartë për Çairin, diçka që nuk është bërë për 20 vjet,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se komuna, për dy dekada, nuk ka pasur as strategji, as plan të vërtetë zhvillimi, dhe pikërisht kjo e ka motivuar që programin e tij ta ndërtojë mbi analiza, projekte dhe vizion afatgjatë.
“Në këto 20 vjet nuk kemi parë as vizion, as plan, as projekte konkrete. Dhe unë dua, fillimisht përmes fushatës zgjedhore, të vendosim një standard të ri. Mendoj se tashmë e kemi ngritur atë standard,” tha Osmani, duke shtuar se kjo ndryshim jo vetëm që është i dukshëm, por tashmë po ndikon edhe te kundërkandidatët.
“Madje mendoj se kemi arritur t’i nxisim edhe të tjerët të kopjojnë, siç ishte rasti me projektin për ashensorët nëpër ndërtesa. E përmenda unë një ditë më parë, ndërsa të nesërmen ata e përsëritën në konferencë për shtyp. Edhe kjo është në rregull, sepse e rëndësishme është të flitet për projekte,” deklaroi Osmani.
Ai vlerësoi se fushata që po e udhëheq tashmë e ka ngritur nivelin e debatit zgjedhor në Çair, duke e shndërruar atë në garë idesh dhe vizionesh, e jo në fushë për sulme partiake.