Ministria e Transformimit Digjital njofton se nga janari i vitit të ardhshëm, regjistrimi i një të porsalinduri do të jetë plotësisht i automatizuar, informoi Ministri i Transformimit Digjital.
“Qeveria dhe Ministria e Transformimit Digjital po përmbushin një tjetër premtim zgjedhor. Që nga fillimi i vitit, Ministria ka formuar një grup pune midis disa institucioneve, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë për Mbajtjen e Regjistrave Civilë, Ministrinë e Shëndetësisë – Drejtorinë për Shëndetin Elektronik dhe institucionet përkatëse të shëndetit publik, për të arritur automatizim të plotë në lëshimin e certifikatës së parë të lindjes për të porsalindurit (Projekti: e-baby)”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Projekti e-baby, i cili mbështetet edhe nga zyra e UNICEF-it, parashikon që prindërit të marrin certifikatën e parë të lindjes në spital, jo më vonë se 48 orë pas lindjes së foshnjës.
“Ministria e Transformimit Digjital, duke përdorur Platformën Kombëtare të Ndërveprimit dhe Portalin Kombëtar të Shërbimeve – uslugi.gov.mk, zbatoi lidhjen e të gjitha institucioneve përkatëse në procesin e regjistrimit plotësisht të automatizuar të të porsalindurit. Në fazën e dytë të projektit, janë të lidhura edhe shërbimet e sigurimit shëndetësor nga Fondi Shëndetësor, si dhe shërbimet e ndihmës për të porsalindurit të lëshuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë”, shtohet në deklaratë.