Edhe sot e kësaj dite, në shoqërinë tonë shpesh vërehet një fenomen i veçantë që lidhet me kursimet e parave. Shumë njerëz nuk u besojnë bankave, por zgjedhin t’i mbajnë kursimet e tyre nën jastëk, në shtëpi apo në vende të fshehta. Edhe pse bankat ofrojnë siguri dhe rregullsi, si për kredi ashtu edhe për depozita, një pjesë e dibranëve ende preferon t’i mbajë kursimet në shtëpi, sidomos devizat, si eurot dhe dollarët. Ky veprim lidhet me arsye të ndryshme, që kanë rrënjë në kulturë, në përvoja personale, por edhe në historinë e tranzicionit ekonomik.
Disa qytetarë tregojnë se i mbajnë paratë në shtëpi për shkak të përvojave të hidhura gjatë ish-Jugosllavisë, kur disa banka falimentuan ose kursimet e tyre u rrezikuan dhe u kthyen në të holla të bllokuara. Në Dibër veprojnë disa filiale bankare, të cilat janë të rregullta dhe të sigurta. Megjithatë, sidomos gjenerata e tretë mban paragjykime dhe mendime që vështirë se mund t’ua ndryshojë dikush, pasi ata veprojnë sipas bindjeve të veta.
Ademi, një 70-vjeçar që ka punuar në Gjermani dhe tani është pensionist, thotë se ndjehet shumë i sigurt kur kursimet e tij i mban në shtëpi. “Shumë më i sigurt jam kur kursimet i kam në shtëpi. Jam djegur një herë me bankat në ish-Jugosllavi, ku paratë m’i jepnin të kufizuara, pjesë-pjesë. Që atëherë, kursimet i ruaj në shtëpi. Kam kasën time me shifër dhe askush s’mund t’i prekë”, është shprehur bashkëbiseduesi ynë.
Ky rast i ka krijuar atij një pasiguri të thellë, duke e bërë të bindur se paratë janë më të sigurta kur i ka pranë vetes. Përveç kësaj, te disa familje ndikon edhe kultura dhe tradita familjare. Në të kaluarën, sidomos në zonat rurale, kursimet gjithmonë mbaheshin në shtëpi, dhe ky zakon është trashëguar edhe sot, pavarësisht zhvillimit të sistemit bankar.
Ka edhe të tjerë që, nga frika e tatimeve dhe transparencës, zgjedhin të mos i depozitojnë paratë në banka. Disa e bëjnë këtë për të shmangur pyetjet mbi burimin e të ardhurave ose për të qenë më pak të ekspozuar ndaj kontrolleve shtetërore. Andaj, edhe sot e kësaj dite disa njerëz i mbajnë paratë të fshehura “nën jastëk” apo “nën dyshek”. Kjo praktikë u jep atyre një ndjesi sigurie të menjëhershme, pasi i kanë gjithmonë pranë dhe mund t’i përdorin kur të duan. Por, kjo ka edhe pasoja negative – si për individin, ashtu edhe për shoqërinë: paratë e mbajtura në shtëpi humbin vlerë për shkak të inflacionit, dhe rreziku nga vjedhjet, zjarret apo fatkeqësi të tjera është gjithmonë i pranishëm.
Përfaqësuesit e bankave që veprojnë në Dibër thonë se pjesa dërrmuese e qytetarëve i mbajnë kursimet në banka, megjithatë ekzistojnë ende raste të kundërta. “Ne u ofrojmë qytetarëve shërbime cilësore dhe transparente, në përputhje me normat bankare. Kur qytetarët e shohin se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe të garantuara, ata do të jenë më të prirur të depozitojnë paratë në banka. Përveç sigurisë, depozitimi në banka sjell edhe përfitime në formë interesi. Gjithashtu, edukimi financiar është i domosdoshëm që njerëzit të kuptojnë avantazhet e kursimeve në institucione financiare”, thonë përfaqësuesit e bankave.
Megjithatë, për disa persona, mbajtja e parave “nën jastëk” mbetet shprehje e mosbesimit dhe e frikës së trashëguar nga e kaluara. Por, për një shoqëri moderne dhe një ekonomi të shëndoshë, është e rëndësishme që kursimet të qarkullojnë nëpërmjet bankave, duke krijuar më shumë mundësi zhvillimi dhe investimi për të gjithë. /Koha/