Kandidati i koalicionit opozitar VLEN për komunën e Likovës, Nexhmedin Sadiku, në emisionin “Debat në SHENJA”, kritikoi ashpër qeverisjen aktuale në komunë, duke e cilësuar si të dështuar dhe të papërgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve.
“Keqqeverisja aktuale, e udhëhequr nga një kryetar që ka qenë dy mandate në pushtet dhe tani synon mandatin e tretë, ka bërë shumë gabime gjatë drejtimit të komunës. Ne i kemi paraqitur këto gabime vazhdimisht në opinionin publik,” tha Sadiku.
Ai theksoi se komuna e Likovës, një ndër zonat më të prekura gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe simbol i sakrificës për çështjen shqiptare në Maqedoni, ka marrë shumë pak në këmbim.
“Likova ka pësuar humbje të mëdha njerëzore, materiale dhe emocionale. Është një komunë që ka dhënë shumë për popullin shqiptar, por që është lënë pas dore në çdo aspekt, sidomos në investime dhe infrastrukturë,” shtoi ai.
Sipas Sadikut, banorët e fshatrave të komunës vazhdojnë të përballen me mungesë të kushteve elementare për jetesë, gjë që – sipas tij – është pasojë direkte e një menaxhimi të dobët dhe mungesës së vizionit për zhvillim lokal. /SHENJA/