Në panel-diskutimin kushtuar zgjidhjeve për “Drisla” dhe deponitë e tjera në Shkup, kandidati për kryetar të qytetit, Gjorgjievski, theksoi se “menaxhimit të keq me mbeturinat po i vjen fundi”, duke paralajmëruar masa konkrete dhe plan të qëndrueshëm për modernizimin e sistemit të mbetjeve.
Sipas tij, “Drisla” do të transformohet në qendër evropiane për trajtim të mbeturinave, në përputhje të plotë me Direktivën Evropiane për Mbeturina (2008/98/EC). Projekti parasheh sistem bashkëkohor për ndarjen, riciklimin dhe shfrytëzimin energjetik të mbeturinave, me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Shkupit.
Gjorgjievski paralajmëroi disa projekte kyçe: sistem për ndarjen e mbeturinave, fabrikë për riciklim të mbetjeve ndërtimore, sistem për shfrytëzim të gazrave deponikë për energji të ripërtëritshme, trajtim të sigurt të mbeturinave toksike dhe mjekësore, si dhe stacion modern për pastrimin e ujërave të ndotura.
Në planin inovativ përfshihen edhe kartomatët për riciklim – automatikë që shpërblejnë qytetarët me bileta për ngjarje kulturore – si dhe qendra digjitale e mbikëqyrjes 24/7, që garanton kontroll të plotë dhe transparencë në proceset e menaxhimit.
“Qëllimi ynë është i qartë: një Shkup i pastër, i gjelbër dhe modern, sipas standardeve evropiane, me digjitalizim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen,” – deklaroi Gjorgjievski.