Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e Aleancës për Komunitetin Inkluziv (AKI), Bujar Osmani, në një konferencë për shtyp, theksoi se barazia gjinore do të jetë shtylla kryesore e çdo politike të ardhshme komunale.
Osmani tha se gratë nuk duhet të jenë vetëm pjesë e fushatave, por pjesëmarrëse të barabarta në vendimmarrje dhe në krijimin e politikave komunale.
“Kjo përqindje do të jetë e pranishme në çdo pore të jetës politike dhe institucionale të Çairit – nga udhëheqësia deri te komisionet dhe proceset vendimmarrëse. Vetëm kështu mund të ecim përpara me barazi dhe respekt të ndërsjellë,” deklaroi ai.
Ai e cilësoi barazinë gjinore si një parakusht për zhvillim dhe demokraci të qëndrueshme, duke u zotuar për një qasje të re në përfshirjen e grave në krijimin dhe zbatimin e politikave.
“Nuk ka përparim nëse gjysma e shoqërisë lihet në margjina. Në Çairin tim, gratë do të jenë pjesë e vendimeve, pjesë e zgjidhjeve dhe pjesë e çdo ndryshimi,” u shpreh Osmani.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se gratë janë ato që ndjejnë më shumë pasojat e problemeve të përditshme në komunë – nga mungesa e infrastrukturës e deri te qasja e kufizuar në vendimmarrje.
“Nënat janë ato që shqetësohen për sigurinë e fëmijëve në rrugë, për ndriçimin publik, për trotuaret dhe për të drejtën e fjalës në institucionet tona,” shtoi Osmani.
Duke folur për përvojën gjatë fushatës, Osmani tha se ka rrëzuar një nga paragjykimet më të mëdha zgjedhore – se vota e grave vjen përmes burrave.“Në vend që të kërkoja votën nga burrat për të arritur te gratë, unë u drejtova drejtpërdrejt tek gratë e çdo lagjeje. I dëgjova, i mirëkuptova dhe u binda se pa to, Çairi nuk mund të ecë përpara,” përfundoi ai.