Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka reaguar ndaj zërave se lideri i partisë, Ali Ahmeti, më 17 tetor – po ndërpret aktivitetet e fushatës dhe po largohet drejt Tiranës. Në përgjigje për gazetën KOHA, Ademi tha se udhëtimi i Ahmetit drejt kryeqytetit shqiptar nuk është shenjë tërheqjeje, por vazhdim i misionit të tij politik.
“Ne nuk po largohemi – ne po mbërrijmë. Vlerësimi i liderit Ahmeti është i qartë: pa UÇK-në nuk ka Kosovë, dhe pa Kosovë nuk ka Shqipëri, e pa Shqipëri nuk ka shqiptarë”, deklaroi Ademi.
Sipas tij, për Ali Ahmetin politika asnjëherë nuk ka qenë karrierë personale, por mision për mbrojtjen e të drejtave historike të shqiptarëve.
“Për këtë vizionar, politika kurrë s’ka qenë karrierë personale. Ajo ka qenë dhe mbetet mision dhe mjet për të mbrojtur të drejtat historike të shqiptarëve. Kur është në pyetje ky mision, për z. Ahmeti nuk janë të rëndësishme as partitë politike, as agjendat partiake”, theksoi nënkryetari i BDI-së.
Ademi shtoi se ky mision po realizohet në çdo shesh dhe në çdo vendbanim shqiptar të Maqedonisë së Veriut dhe se kulmi i tij do të shënohet më 17 tetor.
“Dhe më 17 tetor, do ta bëjmë në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve – në Tiranë!”, përfundoi ai.
Ndryshe, më 17 tetor, në Tiranë organizohet protesta nbarëkombëtarëve në mbrojtje të të akuzuarve të Komandantëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. (koha.mk)