Në prag të zgjedhjeve lokale, UNICEF bën thirrje liderëve lokalë që të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve kur marrin vendime. Organizata ndërkombëtare gjithashtu kërkon promovimin e ushqimit të shëndetshëm në shkolla, mbështetje për fëmijët në rrezik nga varfëria, zgjerimin e shërbimeve për edukim parashkollor, zbatimin e orarit me një turn për të gjithë fëmijët, si dhe heqjen e barrierave për fëmijët me aftësi të kufizuara.
UNICEF
“Gati një e treta e popullsisë janë fëmijë, megjithatë ata vazhdojnë të preken në mënyrë disproporcionale nga varfëria, përjashtimi dhe investimet e pamjaftueshme. Autoritetet lokale kanë fuqinë për ta ndryshuar këtë. Vendimet që merren në nivel lokal – për shkollat, kopshtet, parkun dhe vende të tjera në komunitet – formësojnë vendet ku fëmijët jetojnë, mësojnë dhe luajnë. Këto zgjedhje janë një mundësi për angazhime të guximshme dhe transformuese që do t’i ndihmojnë çdo fëmije të përparojë dhe të arrijë potencialin e tij të plotë“.
Sic njofton UNICEF fëmijët gjithnjë e më shumë rriten në mjedise me ushqim jo të shëndetshëm, që nxisin ushqyerje të dobët, shtim në peshë dhe rreziqe afatgjata për shëndetin. Dhe sipas tyre shkollat duhet të ofrojnë një mjedis të sigurt që nxit zhvillim të shëndetshëm.
UNICEF
„Autoritetet lokale mund të përdorin ndikimin e tyre për t’i dekurajuar shkollat nga vendosja e automjeteve me pijet e ëmbla dhe ushqimet ultra-përpunuara, si dhe nga dhënia e hapësirave shkollore për reklamimin e ushqimit jo të shëndetshëm’’.
Përmes promovimit të ushqimit të shëndetshëm në shkolla, autoritetet lokale mund të mbështesin zhvillimin fizik dhe njohës të fëmijëve dhe të dërgojnë një mesazh të fuqishëm se shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve janë më të rëndësishme sesa interesat komerciale, thotë në njoftim UNICEF. /SHENJA/