Naser Pajaziti
Asnjë vend normal nuk financon mediat-fantazmë me para publike — përveç nesh. 250 portale janë ngritur si kërpudhat pas shiut, jo për të informuar, por për të thithur fondet e zgjedhjeve dhe për të lëpirë pushtetin. Janë të shefave partiakë, të drejtorëve, të militantëve, të sekserëve politikë alla “gazetarë”, që kanë vënë nga një logo dhe ca lajme copy-paste, vetëm që të kapin një kockë nga buxheti.
E në këtë katrahurë, portalet e vërteta që paguajnë taksa dhe mbajnë gazetarë të punësuar me paga të ndershme, mbeten në hije. E kush i mbron këto portale të rreme? Pikërisht politika, që i ka kthyer në vegla të propagandës dhe tenderëve elektoralë.
Ligji për regjistrimin dhe kontrollin e portaleve është lënë në harresë, me justifikimin absurd se “nuk e lejon Kodi Zgjedhor”. Po kush e shkroi atë Kod? Të njëjtët që duan kaos, për të ndarë kulaçin në heshtje dhe për të blerë mbulim mediatik me para publike.
Në një vend normal, portalet e rreme do mbylleshin, jo shpërbleheshin. Por në këtë realitet të përmbysur, shpërblehet mashtrimi dhe ndëshkohet profesionalizmi. Dhe fatkeqësisht, qytetari sërish mbetet viktima kryesore e këtij sistemi të kalbur.
Duhet zbardhur dhe të bëhen publike të gjithë këto portale — me emër e mbiemër: nga ata që kanë konkurruar si firma ndërtimi e deri tek “klubet sportive” të maskuara — që të dihet kush fshihet pas mashtrimit dhe kush po grabit paratë tona.
Sa më gjatë të heshtim, aq më shumë do sundojnë portalet e rreme, me lajme të rreme, në një demokraci të rreme.