Policia ka zbardhur detaje nga sherri me grushte dhe thika i ndodhur ditën e djeshme mes disa të miturve në Kamëz.
Bëhet me dije se në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dy prej të miturve të përfshirë në konflikt, ndërkohë tre persona janë plagosur. Vetëm njëri prej të plagosurve ndodhet në kujdesin e mjekut, ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më të mirë shëndetësore.
Njoftimi:
Tiranë/Zbardhen rrethanat e konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur dje, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, ndërmjet pesë 16-vjeçarëve.
Arrestohen 2 të miturit që dëmtuan me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit e tjerë.
Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta.
Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.
Punohet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.