Një delegacion i lartë nga Republika e Turqisë, gjatë kësaj jave kanë qëndruar në Maqedoninë e Veriut, ku me këtë rast ata kanë realizuar një sërë takimesh me përfaqësues shtetëror, përfaqësues në sektorin e gjyqësisë dhe të shëndetësisë.
Nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik së bashku me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Kadir Ozkaya, realizuan takim pune me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të RMV-së, Darko Kostadinovski, e në këtë takim që u mbajt në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Shkup, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) ka ofruar mbështetje teknike për digjitalizimin e sallës së mbledhjeve të Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
Në lidhje me këtë projekt të realizuar nga TIKA, nënkryetari Çevik, theksoi se ky institucion ka mbështetur rreth 1300 projekte në Maqedoninë e Veriut, ndërsa 30% e tyre i përkasin fushës së drejtësisë. Sipas tij, projekte të tilla kanë rëndësi të veçantë për demokracinë në vend.
Pas përfundimit të takimit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski, kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, ka mirëpritur në drekë pune kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Kadir Ozkaya, ku temë diskutimi ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe konsolidimi i institucioneve demokratike.
Ndërkohë, nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik, gjatë qëndrimit të tij disaditor në vend, në kuadër të TIKA-s ka ofruar mbështetje edhe për projekte tepër të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë dhe të gjyqësorit në vendin tonë.
Në shëndetësi, TIKA siguroi pajisje për Klinikën e Veshit, Hundës dhe Fytit në Kompleksin Nëna Tereza të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërkaq në lidhje me këtë projekt ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha që TIKA ka ofruar mbështetje në të gjitha fushat e nevojshme deri më sot, duke shpreh mirënjohjet për këtë mbështetje.
Pas përfundimit të këtij projekti në shëndetësi, nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik së bashku me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Kadir Ozkaya dhe ambasadorin turk në vend, Fatih Ulusoy, morën pjesë në një ceremoni në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gostivar, projekt ky që ka përmirësuar infrastrukturën teknike duke rinovuar sallën e mbledhjeve të Gjykatës së Shkallës së Parë në Gostivar.
“Me projektin që po përurojmë, salla e mbledhjeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Gostivarit është rinovuar dhe pajisur plotësisht, dhe janë siguruar edhe pajisje teknike”, tha Ulusoy. Ambasadori turk në vend, Fatih Ulusoy tha se mbështetja e Turqisë për Maqedoninë e Veriut ka vazhduar që nga pavarësia e saj.
Në këtë ngjarje, fjalë rasti ka mbajtur edhe nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik, i cili ka thënë se përpiqen të zbatojnë projektet duke respektuar sistemin ligjor vendas, sistemin etik dhe strukturën kulturore. “Gjatë këtyre 20 viteve, në Maqedoninë e Veriut kemi realizuar afërisht 1.300 projekte, ku 381 nga këta projekte synojnë përmirësimin e infrastrukturës civile dhe kapacitetet institucionale”, tha Çevik.