Fushata vetëm se ka filluar, ndërsa ka filluar të ashpërsohet fjalori i përfaqësuesve politik. Ndaj deklaratës së djeshme të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, që oponentët e tij i quajti zagarë, ka reaguar kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski gjatë mitingut të mbrëmshëm në Shkup. Këtë retorikë, Mickoski e quan tentim të Ahmetit që nëpërmjet tezave të konsumuara ta ngrit rejtingun e rrënuar.
“Me gjakra, skifterë, shqiponja e lepuj. Të njëjtën atë, të njëjtin folklor e përmendin, 20 vite i njëjti film. Shqiptarët i janë emigruar, copa-copa bënë nga vjedhja. Ato metafora në mitingje më nuk u kalojnë. Të mirë janë, nëse kanë vendosur të merrem dhe të luajnë në filma humoristik që të munden të bëjnë për të qeshur dikë. Ja të themi pas një vit e gjysmë shkoi në opozitë, ndërsa pas këtyre zgjedhjeve, shkon në pensionim politik, unë të garantoj”, tha sot Mickoski.
Ndaj deklaratës së Mickoskit, reaguan nga partia e Ahmetit, të cilët theksojnë se obsesioni i Mickoskit për të zhdukur BDI-në nuk do të realizohet.
“Mbrëmë, Hristijan Mickoski shpërfaqi qartë obsesionin e tij politik për të kontrolluar skenën shqiptare në Maqedoni. Deklarata e tij e fundit, ku flet për “pensionimin politik” të liderit të shqiptarëve, Ali Ahmeti, nuk është vetëm një dëshirë personale, por një vazhdim i strategjisë së tij për të dobësuar, margjinalizuar dhe kontrolluar shqiptarët. Mickoski dhe VMRO, kur flasin për “zogj e bilbila”, i referohen vetëm “shqiptarëve të tyre të ndershëm”, ata që i kanë nën kontroll në qeveri”, thonë nga BDI.
Për gjuhën e Ahmetit, i cili përdori termin zagarë, duke aluduar në oponentët e tij politik të bllokut shqiptarë, reaguan gjatë ditës së djeshme edhe nga koalicioni VLEN, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që Ahmeti shërbehet me fjalor të tillë ofendues./ Alsat.mk