Britania e Madhe është e hapur që Gjermania t’i bashkohet projektit ”Tempest”, avionit luftarak të gjeneratës së ardhshme, pas përçarjeve të thella që kanë shpërthyer mes Berlinit dhe Francës në lidhje me një projekt rival evropian, sipas “The Telegraph”.
Sipas burimeve të industrisë së mbrojtjes, vendimi përfundimtar do t’u takojë qeverive, por çdo përfshirje gjermane do të jetë e kufizuar, pasi projekti britanik ka hyrë në një fazë të avancuar zhvillimi.
Projekti “Global Combat Air Programme “(GCAP), që bashkon Britaninë e Madhe, Japoninë dhe Italinë, synon krijimin e një avioni “stealth supersonic” që do të koordinojë dronë, raketa dhe sisteme inteligjence në një “platformë të platformave”.
Megjithatë, përfshirja e Gjermanisë shihet si një mundësi për të forcuar ekonomikisht programin dhe për t’i dhënë më shumë peshë politike.
Berlini aktualisht është pjesë e projektit “Système de Combat Aérien du Futur“ (SCAF), që zhvillohet me Francën dhe Spanjën, por ky bashkëpunim po tronditet nga përplasjet mes “Airbus” dhe “Dassault” Aviation”.
Kompania franceze, që prodhon avionin “Rafale“po kërkon më shumë kontroll dhe pjesëmarrje më të madhe, gjë që ka shkaktuar irritim në Gjermani. Si pasojë, Berlini po shqyrton mundësinë e një bashkëpunimi alternativ me Britaninë ose Suedinë.
Në Londër, ekspertët e industrisë së mbrojtjes e quajnë çdo afrimitet gjerman një “fitore strategjike” për Britaninëe Madhe. Por paralajmërojnë se hapja e negociatave të reja mund të vonojë ndjeshëm procesin, në një kohë kur GCAP synon të ketë një avion demonstrues deri në vitin 2027*dhe një version operacional në 2035, sipas kërkesave të Japonisë.
Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes theksoi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj GCAP dhe bashkëpunimit me aleatët për të siguruar “ndërveprueshmëri” dhe avancim të teknologjisë ushtarake.
Ndërkohë, konsorciumi Edgewing”, i përbërë nga “BAE Systems”, “Leonardo” dhe partnerë japonezë, është fokusuar në zhvillimin e shpejtë të avionit dhe koordinimin e qindra bizneseve të përfshira në projekt.
Analistët ushtarakë si Francis Tusa theksojnë se Gjermania mund të përfshihet vetëm si “partnere në prodhim, jo në zhvillim”, për të shmangur prishjen e ekuilibrave mes tre vendeve aktuale. Ndërsa eksperti Justin Bronk vlerëson se Berlini, pa mbështetje nga Franca, nuk ka kapacitetet për të zhvilluar një avion të ri në mënyrë të pavarur.
“Për të gjitha qëllimet praktike, projekti SCAF është i vdekur dhe Gjermania ndodhet në një pozitë të vështirë”, tha Tusa, duke lënë të kuptohet se bashkimi me programin britanik mund të jetë rruga e vetme realiste për Berlini për të mbetur në garën e avionëve të gjeneratës së ardhshme.