Skuadra “big” të Premier Ligës po flasin me entuziazëm për Xharad Brantuajt. Performancat e mbrojtësit 23-vjeçar të Evertonit, nuk kanë kaluar pa u vënë re. Sipas “Mirror”, lojtari është vënë në shënjestër nga Liverpulli dhe Man. Junajted.
Dy klube që synojnë të forcojnë mbrojtjen verën e ardhshme. “Djajtë e Kuq”, të cilët kanë pasur një fillim zhgënjyes të sezonit, duhet të përballen me largimin e Maguire në qershor, pasi kontrata e tij, e cila skadon në vitin 2026, nuk do të rinovohet.
Nga ana tjetër, “The Reds” do ta humbasin Ibrahima Konaté për të njëjtën arsye, pasi ai është gjithnjë e më afër një transferimi të lirë te Real Madridi.
Këtë verë, Everton refuzoi të gjitha ofertat që erdhën, duke e konsideruar Brantuajtin një lojtar kyç në skuadër. Ndërkohë që, kontrata e tij me Evertonin skadon në vitin 2030. Brantuajt është ende duke pritur të bëjë paraqitjen e tij të parë të sezonit për shkak të një dëmtimi në kofshë në gusht, i cili pasoi një problem tjetër në ijë që e kishte ngadalësuar më parë.