Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Butelit, prof. dr. Isamedin Azizi, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e ditës së parë të fushatës zgjedhore, duke bërë thirrje për mobilizim dhe unitet të shqiptarëve në këtë komunë.
“Në Komunën e Butelit sot shqiptarët përbëjnë mbi 50% të votuesve. Deri tani ka ekzistuar një ide e rrënjosur se shqiptarët ‘nuk mund ta fitojnë’ këtë Komunë. Tani është momenti për ta thyer këtë tabu! Shqiptarët e bashkuar rreth një kandidature të vetme mund ta bëjnë realitet fitoren në Butel. Varet nga vullneti ynë”, tha Azizi.
Kandidati i AKI-së u bëri thirrje bashkëqytetarëve të marrin përgjegjësi dhe të bëhen pjesë aktive e procesit zgjedhor. “Koha është tani – le ta marrim përgjegjësinë secili nga ne dhe të gjithë së bashku”, theksoi ai. Azizi njoftoi se ditëve në vijim qytetarët e Butelit do të kenë mundësinë të njihen nga afër me programin dhe vizionin e tij për komunën.
“Ju ftoj për një bashkëpunim të plotë dhe shkëmbim idesh. Çdo ide juaja do të jetë më se e mirëseardhur dhe do ta pasurojë vizionin tonë për të ardhmen e afërt”, tha ai. Në fund të mesazhit të tij, Azizi u zotua se prioritet i tij do të jetë rikthimi i dinjitetit dhe i besimit të qytetarëve te komuna.
“Ta kthejmë dinjitetin!”, përfundoi ai.