Në vitin 2025 shumë komuna në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të kenë nivele të ulëta transparence, me Demir Kapinë, Sopishtën, Llozovën, Studeniçanin dhe disa NJVL të tjera që përmbushin më pak se 25% të treguesve të Indeksit të Hapjes. Rezultati më i ulët mesatar është regjistruar në fushën e ndërgjegjësimit (24%), që tregon dobësi serioze në planifikim, monitorim dhe vlerësim të politikave publike. Rajoni i Pollogut mbetet më i mbylluri me 32.3%, ndërsa rajoni i Vardarit ka shënuar regres për shkak të rënies drastike të nivelit të hapjes së Demir Kapisë. Këtë gjendje e pasqyron hulumtimi “Vlerësimi i qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes Indeksit të Hapjes për vitin 2025” i realizuar nga Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.
“Hulumtimi i vitit 2025 krahasuar me vitin 2024 tregoi një rritje të lehtë të transparencës së vetëqeverisjes lokale, gjë që lë shumë hapësirë për përmirësim. Krahasuar me vitin 2024, kur vetëqeverisjes lokale përmbushi mesatarisht 37% të treguesve të transparencës, në vitin 2025 mesatarja e transparencës arriti në 40%, që është një rritje prej 3% në një vit. Edhe pse përpjekjet e disa komunave për të rritur transparencën e tyre janë të dukshme, kjo përqindje ende tregon një nivel të ulët të transparencës në punën e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në hulumtim.
Ashtu si në vitin 2024, edhe në vitin 2025, NJVL-të kanë rezultatin më të lartë mesatar në fushën e transparencës (49%), ndërsa rezultatin më të ulët mesatar në fushën e ndërgjegjësimit (24%). Progresi më i madh vërehet në fushat e transparencës, ndërgjegjësimit dhe integritetit, pra një rritje prej 3%.