Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ka kërkuar që të thërritet Këshilli i Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
“Ju sjell në vëmendje se keni detyrim të thërrisni Këshillin e Legjislacionit për kërkesën e PD për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit. Thirrja e Këshillit është detyrim që ju duhet ta respektoni”, u shpreh Bardhi.
Gjithashtu, Bardhi i kërkoi mazhorancës që të përfshihej edhe kërkesa e PD-së për përsëriten e seancës së 12 Shtatorit, ku programi qeveritar dhe kabineti u votuan vetëm me votat e PS-së.
“Kemi sjellë edhe një kërkesë për ripërtëritjen e seancës së 12 shtatorit. Kalimi pa debat, kemi arsyetuar se është në shkelje të kushtetutës dhe rregullores. Ju duhet ta përfshini atë kërkesë”, theksoi kreu i Grupit të PD-së.
Duke shtuar: “Çështja e 3-të. Ne kemi dorëzuar një kërkese për mocion me debat mbi programin e qeverise për 4 vitet e ardhshme. Ne baze te rregullore do duhej që ky mocion me debat të ishte përfshirë në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve. Sot skadon dita e 3-të e fatit siç e parashikon rregullorja. Dhe deri tani ne nuk kemi njoftim për mbledhje tjetër”.


