Një tubim solidariteti për Pano Ruçin, babain e 22-vjeçarit Denis Ruçi, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik hekurudhor në Tempi, po zhvillohet këtë mbrëmje në sheshin Sintagma të Athinës.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në shesh pas orës 18:30, ora e caktuar për nisjen e protestës. Pano Ruçi ndodhet në ditën e 14-të të grevës së urisë, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e të birit dhe ndëshkimin e përgjegjësve të tragjedisë së 28 shkurtit 2023.
Tubime të ngjashme solidariteti po zhvillohen edhe në qytete të tjera të Greqisë, si Selanik, Patra, Larisa, Heraklion dhe Rethymno. Në Larisa, qyteti ku ndodhi aksidenti, qytetarët nuk u tërhoqën edhe pse protesta u shoqërua me reshje shiu.
Protestuesit kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë përgjegjësi për aksidentin që mori jetën e 57 personave, mes tyre shumë të rinj, kryesisht studentë.