Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tepelenën ditën e sotme, ku një shtetas italian është gjetur i vdekur me armë zjarri në rrethana misterioze.
Viktima është personi në foto, Edoardo Sarchi, 63 vjeç, një biznesmen i njohur që prej më shumë se 20 vitesh jetonte dhe punonte në Shqipëri. Ai ishte administrator i një fabrike të madhe tullash në Tiranë.
Trupi i pajetë i Sarchit, me një plumb në kokë, u gjet pas mesnatës së të premtes, në një zonë të quajtur “Dilan”, midis fshatrave Nivicë dhe Salari, në bashkinë Tepelenë, ku thuhej se kishte shkuar për gjah, së bashku me katër persona të tjerë.
Në mesin e personave që shoqëronin italianin ndodheshin edhe ortaku i tij në biznes, Eqrem Braçi, si dhe dy djemtë e këtij të fundit, Gazmenti dhe Danieli. Të tre janë shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje, ndërsa identiteti i personit të katërt ende nuk është bërë publik.
Shkak i vrasjes paraprakisht dyshohen mosmarrëveshjet mes dy ortakëve, biznesmenit italian Edoardo Sarchi, si edhe shtetasit Eqerem Braçe, gjithashtu i shoqëruar nga policia.
Raportohet se baba e bir, Eqerem dhe Gazment Braçe, jetonin në Tiranë, ndërsa në fshatin ku ndodhi krimi kishin në banesë të cilën e kishin restauruar dhe ktheheshin herë pas here për të qëndruar.
Sakaq, gazetarja Brikena Meta ka pyetur në Prokurorinë e Gjirokastrës lidhur me hetimet pe ngjarjet, teksa sqarohet se:
Janë shoqëruar disa persona për t’u pyetur lidhur me ngjarjen. Vendi dhe koha kur ka ndodhur e bëjnë të vështirë praninë e dëshmitarëve okulare. Ende nuk mund të themi me siguri nëse ngjarja ka ndodhur pikërisht aty ku u gjet viktima. Janë gjetur dy armë gjahu, ndërsa në zonë nuk ka kamera sigurie dhe deri tani nuk kemi të dhëna për konflikte të mëparshme që mund të lidhen me rastin”.
Dëshmia e ortakut
Sipas burimeve, viktima kishte për gjah së bashku me 3 persona të tjerë, përfshirë ortakun e tij Eqerem Braçe dhe djalin e këtij të fundit, Gazment Braçe.
Raportohet se ata kanë udhëtuar drejt vendit ku ndodhi ngjarja me dy makina, një mjet tip Land Rover dhe një Volskwagen, të cilat u gjetën në vendngjarje nga policia. Ka qenë ortaku i viktimës, i cili ka njoftuar policinë për vrasjen e 44-vjeçarit italian, i cili banonte në Tiranë prej 20 vitesh.
Në versionin e tij të dhënë për policinë, ka deklaruar se një person i ka dalë para automjetit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Ai është shprehur se ka tentuar t’i japë ndihmën e parë viktimës duke nxjerrë trupin nga automjeti dhe më pas ka njoftuar policinë.
Sipas tij, personi që i ka qëlluar është larguar në drejtim të paditur, dhe për shkak të errësirës s’ka mundur ta identifikojë. Kjo dyshohet se është arsyeja se pse trupi i pajetë i 44-vjeçarit italian ndodhej jashtë makinës, sipas dëshmisë së dhënë nga Eqerem Braçe.
Përveç Eqerem Braçe dhe djalit të tij edhe një person tjetër i shoqëruar nga policia, identiteti i të cilit s’dihet ende, si edhe raporti që ka pasur me dy ortakët.
Njoftimi i policisë:
Tepelenë/Informacion paraprak
Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.