Naser Selmani
Ali Ahmeti paralajmëroi qeverinë e Mickoskit se, nëse nuk zhbllokon procesin e eurointegrimeve, qytetarët nuk do të kenë zgjedhje tjetër veçse shpëtimin ta kërkojnë duke iu mbështetur Shqipërisë ose Bullgarisë. Ai gjithashtu kërkoi nga qeveria të mos nxisë gjuhën e urrejtjes mes qytetarëve, sepse nuk ekziston asnjë rrezik që vendi të merret as nga shqiptarët, e as nga bullgarët.
Në vend që partitë politike dhe mediat maqedonase ta vlerësonin këtë thirrje të
sinqertë si një përpjekje për zgjim të politikës maqedonase dhe paralajmërim për
rreziqet që i kanosen vendit, ato nisën një fushatë agresive denigruese kundër tij.
Mickoski refuzoi të komentojë deklaratën e Ahmetit, duke u bërë thirrje edhe
mediave maqedonase të mos i kushtojnë vëmendje fjalëve të tij, pasi sipas tij janë të parëndësishme dhe bëhen vetëm për të tërhequr vëmendjen e opinionit para
fushatës zgjedhore.
Nga ana tjetër, satelitët e Mickoskit – partitë e vogla maqedonase – shkuan aq larg sa kërkuan ndjekje penale kundër Ahmetit për gjoja cenimin e integritetit territorial të Maqedonisë së Veriut. Nëse analizohet me kujdes, deklarata e Ahmetit del se është e drejtë. Elementi më i rëndësishëm që bashkon etnitë e ndryshme në Maqedoninë e Veriut është ideali
evropian, pasi garanton sundim të ligjit dhe mirëqenie për të gjithë. Çdo alternativë tjetër na kthen mbrapa, duke sjellë mosmarrëveshje, pasiguri dhe konflikte.
Është shqetësuese se sa shumë ngjason sot Maqedonia e Veriut me ish-Jugosllavinë para shpërbërjes. Në fillim të viteve ’90, disa fenomene në Jugosllavi i paraprinë shpërbërjes së saj, dhe fatkeqësisht përputhen plotësisht me realitetin e sotëm maqedonas:
E para, homogjenizimi përmes nacionalizmit – Millosheviqi i dha hov nacionalizmit me synim imponimin e vullnetit të serbëve si populli më i madh mbi të tjerët. Sot, nacionalizmi maqedonas po rritet në mënyrë drastike, duke fituar mbështetjen e shumicës apsolute të votuesve maqedonas. VMRO, ZNAM dhe
Levica janë tre partitë nacionaliste që kanë 70 prej 120 deputetëve në Kuvend.
E dyta, retorika për mbrojtjen e shtetit – Millosheviqi pretendonte se mbronte
Jugosllavinë nga separatistët shqiptarë, sllovenë e kroatë, por në fakt me imponimin e dominimit serb e përshpejtoi shpërbërjen. Sot, nacionalistët maqedonas përdorin të njëjtën retorikë: se po mbrojnë shtetin unitar dhe identitetin maqedonas nga shqiptarët dhe bullgarët, ndërsa në realitet, me vetëdije ose jo, minojnë themelet e shtetit duke bllokuar integrimin evropian.
E treta, refuzimi i demokracisë. Nacionalistët serbë kërkonin gjithë pushtetin në Beograd. Sot, nacionalistët maqedonas në vitin 2025 përpiqen të nënshtrojnë faktorin shqiptarë dhe ta shndërrojnë atë në vasal të pushtetit të tyre.
E katërta, orientimi gjeopolitik – Serbia e Millosheviqit ishte antiperëndimore dhe e lidhur me Rusinë. Sot, aleatët më të afërt të Maqedonisë së Veriut janë Vuçiqi i
Serbisë dhe Orbani i Hungarisë, dy liderë autokratë me lidhje të forta me Putinin.
Dhe e fundit, antishqiptarizmi – Millosheviqi ushqeu urrejtje ndaj shqiptarëve, që kulmoi në vitin 1999 me përpjekjen për të dëbuar dhe shfarosur shqiptarët e Kosovës. Sot, qeveria e VMRO-së kultivon sentiment antishqiptar duke margjinalizuar VLEN-in dhe satanizuar opozitën shqiptare si kriminelë dhe armiq të shtetit. Gjuha e urrejtjes dhe aktet e dhunës ndaj shqiptarëve janë shtuar, ndërsa reagimi i institucioneve mbetet i dobët.
Shumë ngjashmëri për të qenë rastësi. Prandaj Mickoski duhet ta trajtojë me
seriozitet dhe me dashamirësi deklaratën e Ahmetit, nëse vërtet kujdeset për të
ardhmen e Maqedonisë së Veriut.