Një organizatë e mirëstrukturuar kriminale, e specializuar në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, u godit nga autoritetet greke në një operacion me “FBI-në” greke, që çoi në arrestimin e pesë shqiptarëve, të moshave 73, 39, 36, 35 dhe 34 vjeç.
Sipas mediave greke, organizata kishte arritur të gjenerojë të ardhura mbi 8 milionë euro, duke ndërtuar një rrjet të sofistikuar me role të qarta dhe logjistikë të plotë.
Vëmendje të veçantë ka tërhequr një shtetas shqiptar, mes të arrestuarve, i cili është i njohur për autoritetet greke që prej vitit 2012.
Mediat greke shkruajnë se ai kishte hyrë me armë në një banesë në zonën e Nea Erithraia (në Athinë), ku kishte mbajtur peng pronarët e shtëpisë. Në përplasjen me policinë, kishte qëlluar me armë dhe kishte plagosur rëndë një efektiv të forcave të ndërhyrjes së shpejtë.
Pas një dekade, duket se ka “ndryshuar fushë”, duke kaluar në veprimtari të trafikut të drogës.
Gjatë operacionit policor, autoritetet kanë sekuestruar: 1.640 bimë kanabisi në rritje, 1 ton dhe 161 kg kanabis të papërpunuar, gati për trafikim. Pajisje për kultivim, peshore elektronike, automjete dhe arsenal armësh, përfshirë: një pushkë automatike, dy pistoleta, një granatë dore dhe 134 fishekë.
Në krye të organizatës qëndronte një 39-vjeçar, i cili kishte përgjegjësinë për koordinimin e aktiviteteve të grupit, menaxhimin e kultivimit dhe shpërndarjes së drogës dhe komunikimin me klientët dhe mbledhjen e fitimeve.
Krah tij, si zëvendës, vepronte një 36-vjeçar që mbikëqyrte plantacionin, siguronte mjetet, furnizimet dhe ushqimet për “punëtorët” e angazhuar në terren.
Anëtarët e tjerë kishin role të ndryshme, përfshirë gjetjen dhe sigurimin e vendeve për fshehjen e drogës dhe parave, transportin e liderit të grupit në mënyrë të sigurt, fshehjen e pajisjeve të komunikimit për të shmangur përgjimet
Të arrestuarit përballen me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar të drogës, armëmbajtje pa leje dhe qarkullim të monedhave të falsifikuara.
Dosja është dorëzuar në Prokurorinë përkatëse greke, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe për të bërë bilancin e plotë ekonomik dhe kriminal të organizatës.