Teilor Tivari, i cili akuzohet se masakroi me thikë në banesë 51-vjeçarin Valbon alias Marko Beqiraj, ka dalë para togave të zeza.
Panorama.al ka siguruar pamjet e momentit kur 24-vjeçari mbërrin në Gjykatën e Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë.
Trupi i pajetë i Valbon alias Marko Beqiraj u gjet i masakruar në banesën në katin e katërt të pallatit në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar, rreth 9 orë pas krimit që tronditi vendin.
Vrasja raportohet se ndodhi rreth orës 10:00 të datës 24 Shtator 2025, por trupi i Valbon alias Marko Beqiraj u zbulua nga nipi i tij rreth orës 19:00.
Autori i dyshuar i krimit, 24-vjeçari Teilor Tivari, sipas bluve, kishte hyrë në banesën ku ndodhej viktima për të blerë kokainë.
Por, deklaroi policia, “Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.”
Pas dhunimit dhe masakrimit me thikë të viktimës, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga 27 vjeçari me iniciale Xh. D., i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale.
Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre”, theksuan blutë.
Autori i dyshuar dhe bashkëpunëtori i tij, i cili e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, janë arrestuar nga policia një ditë pas ngjarjes (25 Shtator).
“Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij”, informoi policia.
Ndërkohë 24-vjeçari në dëshminë e tij ka deklaruar se: “Me 51-vjeçarin njiheshim, ishim miq. Më thirri në banesën e tij dhe shkova për të pirë një gotë birrë. Pas bisedës 51-vjeçari tentoi të në përdhunonte. Tentova të mbrohesha, ai ishte më i fuqishëm se unë, i shpëtova, mora thikën e bukës dhe e qëllova.
U përleshëm me njëri-tjetrin sepse nuk më lejonte të largohesha. Jam larguar i tronditur nga vendi i ngjarjes, nuk e mendoja se ai do të vdiste”.
Njoftimi i policisë:
Durrës/ Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vrasja me thikë e 51-vjeçarit.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes.
Në pranga dhe një shtetas që e ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, shtetasi M. B., alias V. B., 51 vjeç.
Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, u zhvilluan hetime të thelluara dhe një sërë veprimesh me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025.
Po nga veprimet, rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike.
Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.
Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale.
Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të veprës penale”.