Mister mbetet vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, trupi i pajetë i të cilit është gjetur rreth orës 00:30 pak pas mesnate (27 Shtator) në fshatin Salari të Tepelenës.
44-vjeçari, i cili jetonte prej 20 vitesh në Tiranë dhe rezulton pronar i fabrikës së tullave “Tegola Edil Centro” në kryeqytet, raportohet se është qëlluar me armë.
Pranë trupit të pajetë të viktikës është gjetur edhe automjeti i tij. Fillimisht u raportua se ai shoqërohej nga persona të tjerë, por sipas informacioneve në momentin kur u zbulua trupi ishte i vetëm dhe deri më tani s’ka asnjë të shoqëruar nga policia.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta duke ngritur pikëpyetje lidhur me rrethanat, si edhe arsyet e krimit, ndërsa deri më tani nuk përjashtohet asnjë pistë.
Edoardo Sarchi rezulton të ketë qenë frekuentues i rregullt i zonës së Tepelenës për qëllime gjuetie.
Edhe mbrëmjen e së premtes dyshohet se kishte udhëtuar drejt fshatit Salari për gjah.
Dyshohet se në vendngjarje mund të kenë qenë dy automjete, përfshirë një tjetër me miq të tij.
Por ende nuk dihet nëse ata kanë qenë realisht prezentë dhe përse nuk qëndruan në vendngjarje, nëse ishin.