Në dy incidente të ndodhura gjatë natës në Shkup, u dogjën automjete në dy lokacione të ndryshme. Banorët e qendrës u shqetësuan nga djegia e një automjeti pranë Tregut të Gjelbër, ndërsa në Kisella Vodë u shkaktua panik pasi flakët kapluan edhe fasadën e një ndërtese dhe një objekti tregtar. Ministria e Punëve të brendshme informoi se në të dyja rastet nuk ka persona të lënduar.
MPB
“Më 24.09.2025, në orën 23:07, në SPB Shkup është raportuar se në hapësirën e parkimit në bulevardin ‘11 Tetori’ në Shkup është djegur një automjet ‘BMW’ me targa të Shkupit, në pronësi të një subjekti juridik, ndërsa nga zjarri është përfshirë edhe një automjet ‘Citroen’ me targa të Shkupit, si dhe një pjesë e një objekti tregtar”.
MPB sqaroi se zjarri është shuar pas ndërhyrjes së Brigadës për Mbrojtje nga Zjarri, ndërsa shtoi se po merren masa për zbardhjen e rastit.
Në Kisella Vodë ka pasur panik mes banorëve, pasi flakët kapluan edhe një pjesë të një ndërtese banimi.
MPB
“Më 25.09.2025, në orën 03:47, në SPB Shkup është raportuar se në rrugën ‘Diço Petrov’ në Shkup është djegur një automjet ‘Range Rover’ me targa sllovake, në pronësi të V.D. (41) nga Shkupi, ndërsa është përfshirë edhe një automjet ‘Golf’ me targa bullgare, si dhe një pjesë e fasadës së një ndërtese banimi dhe një pjesë e një objekti tregtar”.
Djegia e automjeteve është bërë një praktikë e zakonshme. Pak ditë më parë iu vu zjarri një servisi makinash ku u dogjën mbi 20 vetura.
/SHENJA/