Shpërthim i një makine me disa të lënduar është raportuar se ka ndodhur në Tel Aviv, por rrethanat dhe shkaqet mbeten ende të panjohura.
“Kanali 12” izraelit raportoi se një makinë shpërtheu në Tel Aviv, duke shkaktuar të lënduar ditën e sotme. Shkaku i shpërthimit nuk është bërë menjëherë i qartë dhe kanali nuk dha detaje të mëtejshme.
Por policia dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Nga ana tjetër, IDF po vijon operacionin në thellësi të Gazës kundër Hamasit dhe sot u raportua për të paktën 18 të vrarë.
Forcat izraelite përparuan më tej këtë mëngjes në Qytetin e Gazës, ndërsa Kryeministri Benjamin Netanyahu është në Nju Jork për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Të paktën 18 persona u vranë në enklavën palestineze, thanë autoritetet lokale të shëndetësisë. Midis tyre ishin 11 persona nga dy familje në qytetin Zawayda, në Rripin qendror të Gazës, ku sulmet ajrore goditën një ndërtesë banimi, informon “La Repubblica”.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar për incidentin, por tha se kishte goditur 170 objektiva në të gjithë Gazën në 24 orët e fundit dhe kishte sulmuar “infrastrukturën terroriste” të përdorur nga grupet militante për të sulmuar ushtarët.