I premtonte zgjidhjen e një çështjeje duke i zhvatur disa herë para nëpërmjet mashtrimit pasi njihte drejtues të institucioneve, identifikohet dhe arrestohet 54-vjeçari i dyshuar.
Policia e Korçës dhe specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një 53-vjeçar, se kishte paguar 6300 euro tek i dyshuari, bënë arrestimin e Ilir Zisko, banues në qytetin verilindor.
Nga dëshmia e marrë rezulton se qytetari i kishte dhënë disa këste radhazi me euro, pasi 54-vjeçari i ka premtuar se “do ta ndihmonte me anë të njohjeve që kishte me disa drejtues të insitucioneve shtetërore”.
“Ky shtetas dyshohet se gjatë 4 muajve, i ka marrë 6300 euro, 53-vjeçarit, nëpërmjet mashtrimit”, tha policia vendore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “mashtrimi”.