Nga selia e OKB-së, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, bëri thirrje për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
”Vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh”. Me këto fjalë ju drejtua Presidenti Begaj kryetarëve të shteteve dhe qeverive në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, tha ai, është një hap drejt forcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
“Njohja e pavarësisë së Kosovës, mbështetja për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës, është një hap që forcon edhe më shumë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribut në stabilitetin e Evropës”, deklaroi Presidenti Begaj ndër të tjera gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së .
Presidenti Begaj ngriti zërin nga kjo sallë edhe për Luginën e Preshevës. Ai bëri thirrje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe për dhëninë fund të politikave diskriminuese ndaj tyre.
“Shqipëria kërkon që të drejtat e liritë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të respektohen, që shqiptarët atje të mos diskriminohen, por të integrohen, që gjuha shqipe të përdoret, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat e tyre të mbrohen dhe promovohen”, deklaroi Presidenti i shqipërisë n Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.