Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ndodhet në burgun politik, pas arrestimit me urdhër të Edi Ramës ka reaguar në lidhje me shkarkimin e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në një intervistë ekskluzive dhënë për SYRI.net, Meta shprehet se, bashkë me Veliajn duhej shkarkuar dhe këshilli.
Nga qelia politike, Meta ka dhënë mendimin e tij edhe për kriteret që duhet të ketë kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës.
Pjesa e parë e intervistës së presidentit të PL-së, Ilir Meta:
Z. Meta a e vlerësoni të drejtë dhe të rregullt shkarkimin e Erion Veliajt si Kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Një akt shumë i vonuar dhe i pamoralshëm i këshilltarëve socialist, të cilët dje duhet të kishin dhënë edhe dorëheqjet e tyre për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja edhe për Këshillin e Bashkisë.
Për më shumë se dy vite ata kanë qenë mbështetësit e verbër të ish-kryebashkiakut në shumë akte të paligjshme duke nisur me financimin nga buxheti i bashkisë të inceneratorit që nuk ekziston.
A mund ta konsideroni si fitore të opozitës?
Pa diskutim që protestat stoike prej 44 javësh të opozitës kanë patur një rol të rëndësishëm demaskues ndaj aferave dhe arrogancës mizore të ish-kryebashkiakut në aksionet e paligjshme që nga shkatërrimi i Teatrit Kombëtar dhe prishjet e pronave të qytetarëve te 5 Maji, Astiri, etj.
Por për fat të keq sot Erion Veliaj nuk po hetohet dhe gjykohet për kallëzimet e faktuara nga opozita, por për ‘hatër’ të kallëzimit të bërë nga Nesti Angoni, pra vet Edi Rama.
Akti më flagrant i Erion Veliajt në shkelje të ligjit siç është shkresa e tij zyrtare për t’i hapur rrugë ndërtimit të inceneratorit të Tiranës, as nuk guxon të preket nga SPAK-u.
Ndërkohë inceneratori nuk ekziston dhe vetëm për këtë vit qytetarët e Tiranës paguajën 12 milion euro që vidhen nga Edi Rama.
Përse nuk hetohet për këtë çështje kaq konkrete dhe flagrante? Sepse na e tha vet edhe ish-Zv/Kryeministri, Arben Ahmetaj se këtë shkresë të Veliajt ia kërkoi Rama ta firmosë.
Ndërkohë që Veliaj është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, pagesat e inceneratorit vazhdojnë dhe rriten. Kjo tregon qartë se përfituesi kryesor është Edi Rama dhe jo Veliaj.
Ndaj optimizmi i opozitës duhet të jetë i përmbajtur pasi Veliaj nuk po hetohet dhe gjykohet për çështjet madhore por për çështje dytësoreqë nuk implikojnë Edi Ramën, i cili ka kontroll të plotë të SPAK-ut dhe drejtësisë.
Ju aludoni se pas kësaj goditje është vet Edi Rama?
Jam i sigurt që edhe nëse vet ai nuk është Nesti Angoni përsëri Nesti e ka shkruar kallëzimin i diktuar prej tij.
Për Ramën, Veliaj duhej eleminuar sepse ai kishte guxuar të projektonte veten si pasardhës, çka është e papranueshme nga një mendje e sëmure për pushtet pa kufij në kohë dhe hapësirë.
Në këtë mënyrë justifikohej edhe për goditjet politike kundër drejtuesve të opozitës por edhe i jepte pikë SPAK-ut si gjoja i pavarur nga ai ‘krijuesi’ i SPAK-ut dhe drejtësisë së re.
Fiks Drejtësi me Regji.
A besoni se opozita mund të nxjerrë një figurë të denjë përballë kandidates së shpallur nga Kryeministri Rama?
Duke besuar se opozita e do bashkinë për t’ua rikthyer qytetarëve unë besoj edhe te vullneti i saj për të gjetur një kandidat ose kandidate që të përfaqësojë të kundërtën e asaj që përfaqëson kandidatja e Ramës, që është nënshtrimi ndaj tij dhe interesave mafioze për shkatërrimin e kryeqytetit vetëm në funksion të pastrimit të parave.
Çdo tregues në Tiranë ka ardhur në përkeqësim deri edhe cenimin serioz të shëndetit të qytetarëve për shkak të cilësisë skandaloze të ajrit dhe ngushtimit të hapësirave publike dhe të gjelbra.
Aq më tepër të mos harrojmë menaxhimin skandaloz të COVID-it nga ish-ministrja e Shëndetësisë.
Po kështu të mos harrojmë edhe keqmenaxhimin e fondeve ndërkombëtare gjatë pandemisë, aq sa më pas Banka Botërore kërkoi të bëheshin transparente kontratat dhe emrat e kompanieve përfituese.
Ndërsa për arritjet në arsim të ish-ministres flasin treguesit e institucioneve ndërkombëtare që njohin vetëm përkeqësim.
Natyrisht Edi Rama e mbështet fushatën jo te vlerat e kandidates, por te gjithë makineria shtetërore për të deformuar vullnetin e votuesve.
Po kështu edhe te një lloj befasie për opozitën, pas terrorizmit elektoral të 11 Majit.
Edi Rama kërkon të ‘harrohet’ ajo masakër që ndodhi më 11 Maj dhe ta ‘legjitimojë’ me një fitore të radhës.
Pra ai synon të kalojë nga ‘fitorja’ në ‘fitorje’ si në kohën e partisë-shtet.
Nëse opozita përzgjedh një kandidat ose kandidate gjithpërfshirëse dhe me grintë, me një organizim më të mirë, Bashkia e Tiranës do t’u kthehet qytetarëve.