Një ngjarje tronditëse është zbuluar vetëm pak ditë më parë në Beoti, ku një 62-vjeçare dyshohet se ka varrosur nënën e saj në oborrin e shtëpisë për të vazhduar të përfitonte pensionin e saj.
Dëshmia e djalit të saj, 28-vjeçar, ka ngritur dyshime serioze për policinë që po heton rastin.
“E fundit herë që e pashë ishte në janar të vitit 2021,” u shpreh ai fillimisht në deklaratën e tij, duke mohuar të kishte dijeni për kohën apo rrethanat e vdekjes së gjyshes së tij. Megjithatë, në një moment tjetër të marrjes në pyetje, ai deklaroi se e kishte vizituar për herë të fundit në tetor të vitit 2020, duke krijuar paqartësi dhe kontradikta në dëshminë e tij.
“Ajo kishte frikë se do ta akuzonin”, tha 28-vjeçari, duke iu referuar një telefonate që kishte marrë nga nëna e tij më 20 shtator, në të cilën ajo i kishte thënë se policia kishte shkuar në banesë.
Sipas deklaratave të dhëna, gjyshja ishte një grua e moshuar me probleme të shumta shëndetësore: “Kishte probleme me zemrën, ishte mbipeshë, kishte vështirësi me frymëmarrjen dhe me shikimin. Ndoshta vuante edhe nga demenca,” shtoi ai, duke pranuar se nuk ishte në dijeni të saktë për gjendjen e saj apo për ilaçet që ajo merrte.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa policia po përpiqet të zbardhë me saktësi rrethanat e vdekjes së të moshuarës dhe përgjegjësinë e mundshme të familjarëve të saj.