Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është takuar sot me kandidatin për kryetar të Komunës së Çairit në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Takimi është zhvilluar në qytetin e Ferizajt, ku të dy personalitetet kanë shëtitur në sheshin qendror të qytetit dhe kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Në një postim në Facebook, kryetari Aliu u shpreh:
“Mesditë e veçantë e shëtitje në sheshin e qytetit me mikun tim, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, kryediplomatin Bujar Osmani, për bashkëpunimet tona të së ardhmes.”
Takimi vjen në kuadër të afrimit të bashkëpunimit ndërkomunal mes qyteteve shqiptare në rajon dhe mbështetjes që figura politike në Kosovë po japin për kandidatë në zgjedhjet komunale në Maqedoninë e Veriut.