Opozita shqiptare ka reaguar në lidhje me paralajmërimin e Ministrisë së Brendshme rreth ribrendimit të uniformave të policisë, të cilat do të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Sipas BDI-së, ky akt është shkelje flagrante e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që garanton barazi dhe dygjuhësi në institucionet shtetërore. Nga kjo parti, kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi diskriminues siç e quajnë ata.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Ky nuk është një rast i izoluar, por vazhdimësi e politikës diskriminuese të VMRO-DPMNE-së, e cila tashmë ka iniciuar në Gjykatën Kushtetuese heqjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Ajo që e bën edhe më skandaloze është heshtja servile e partive shqiptare në pushtet, të cilat kanë pranuar të bëhen vasalë të politikave anti-shqiptare, duke e shkelur dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve për interesa të ulëta politike.”.
Sipas ASH-së së Arben Taravarit, vendimi që uniformat e reja të policisë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase është skandaloz dhe nxjerr në pah, edhe njëherë diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve.
Aleanca për Shqiptarët
“Uniformat nuk janë thjesht veshje, por simbol i barazisë dhe i respektit. Kur ligji urdhëron dygjuhësi, ndërsa Qeveria imponon njëgjuhësi, kjo është dëshmi se partitë shqiptare në pushtet kanë humbur çdo sovranitet politik dhe janë shndërruar në pasqyrë të interesave të VMRO-së. Aleanca për Shqiptarët kërkon tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi diskriminues, zëvendësimin e uniformave me mbishkrime dygjuhëshe sipas ligjit, si dhe përgjegjësi politike nga ata që kanë lejuar një turp të tillë”.
I pyetur për këtë, ministri i Brendshëm , Pançe Toshkovski tha se, uniformat po bëhet në përputhje me rregulloren e cila është sjell në kohën kur në pushtet ka qenë BDI dhe LSDM.
Pançe Toshkovski, ministëri i Brendshëm
“Ai ligj është sjell në vitin 2018. BDI kishte mundësi në të kaluarën të tregonte implementimin e tij. Në atë që ndërmerren si hapa nga ana jonë, veprojm plotësisht në pajtueshmëri me ligjin dhe sipas rregullore në fuqi. Kjo rregullore është sjell kur në pushtet ishin BDI dhe LSDM”.
Edhe njëri ndër liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, i cili është partner i koalicionit qeveritar, siguroi se uniformat do të jenë edhe në gjuhën shqipe, aty, ku parashihet me ligj.
Bilall Kasami, VLEN
“Jemi në komunikim me MPB-në. Ajo që mund të garantojmë, që edhe në këtë rast, do të respektohet ligji dhe aty ku uniformat në bazë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve duhet të jenë në gjuhën shqipe, sigurisht do të jenë edhe në gjuhën shqipe”, ka deklaruar Kasami.
Ministria e Punëve të Brendshme të hënën njoftoi se, ka shpallur tender për furnizimin e uniformave të reja për oficerët e policisë, me çka paralajmërohet ribrendimi i policisë./SHENJA/