HomeMaqedoniLajme
Klekovski: FSSH ka pranuar pesë ankesa për ndërhyrje kardiologjike të dyshimta
LajmeMaqedoni
By T. B. On 20/09/2025 14:07
Mjekë, spital, operacion. Foto: Natanael Melchor/Unsplash
Mjekë. Foto: Natanael Melchor/Unsplash
Share
Në Fondin për Sigurim Shëndetësor (FSSH) kanë mbërritur pesë ankesa nga pacientë lidhur me pretendimet se janë kryer ndërhyrje kardiologjike të panevojshme, dhe të gjitha janë dërguar te Komisioni Profesional. Këtë e deklaroi sot drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski, institucioni që është i përfshirë në punën e Komisionit të Ministrisë së Shëndetësisë me dy përfaqësues, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas një aktiviteti të organizuar me rastin e Ditës Botërore për ngritjen e ndërgjegjësimit për rritjen e fëmijëve”, transmeton Portalb.mk.
“Së fundmi, Fondi ka bërë kontroll administrativ të rasteve, pasi na janë dorëzuar koronarografi që duhej t’i lidhim me dosjet dhe pacientët. Aktualisht kemi pesë ankesa nga qytetarët dhe të gjitha janë dërguar te Komisioni Profesional,” – tha ai.
Sipas tij, ministri i Shëndetësisë ka kërkuar që edhe Oda e Mjekëve të bëjë kontrolle në të gjitha institucionet publike dhe private.
“Pres që, sapo të mblidhen të gjitha materialet, ato të përmblidhen dhe të përzgjidhen vetëm rastet problematike, të cilat do t’u dorëzohen mjekëve të huaj për supervizim, në mënyrë që të kemi një qasje neutrale dhe objektive,” – theksoi drejtori i FSSH-së.
Para disa javësh kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.
Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e këtij komisioni është që të konstatojë faktet dhe të veprojë mbi bazë të provave mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave metodologjike të sakta. Gjetjet nga kjo analizë e komisionit të brendshëm do ti dorëzohen komisionit profesional të përbërë nga ekspertë të huaj.