I nderuar Kryetar i Komunës së Likovës,
Pas prononcimit tuaj publik lidhur me analizat e ujit të pijshëm në fshatin Llojan, ndjej obligim moral dhe profesional të sqaroj para jush dhe opinionit se rezultatet e paraqitura janë kryer në laboratorin e akredituar të Qendrës së Shëndetit Publik (QShP) Kumanovë, institucion shëndetësor, dhe jo në një laborator të ndonjë partie politike.
Analizat janë bërë mbi bazën e kërkesës së banorëve dhe rezultatet e tyre treguan qartë praninë e Arsenit në sasi shumëfish më të lartë se kufiri i lejuar, çka paraqet rrezik të madh për shëndetin publik.
Për këtë arsye, në mënyrë të menjëhershme janë njoftuar të gjitha institucionet kompetente, përfshirë edhe Komunën e Likovës institucionë që ju e drejtoni 2 mandate.
Dua të theksoj qartë se puna ime si drejtor dhe puna e mjekëve në Qendrën e Shëndetit Publik Kumanovë udhëhiqet vetëm nga ligji, rregullat dhe protokollet shëndetësore me përgjegjësi ndaj qytetarëve, dhe jo nga politika ditore. Besueshmëria e analizave tona është e garantuar me akreditim dhe çdo institucion tjetër i pavarur mund t’i verifikojë ato.
Shëndeti i qytetarëve është prioriteti ynë i vetëm dhe për këtë arsye presim që të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë edhe komunën që ju drejtoni, të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e banorëve, mbi bazën e fakteve të argumentuara dhe jo supozimeve politike dhe kadrovike.
Herolind Sakipi
Drejtor
Qendra e Shëndetit Publik Kumanovë.