Ende askush nuk përndiqet për incidentin në Kumanovë edhe pse kanë kaluar një muaj e gjysëm, edhe pse zyrtarët shqiptar në paraqitjet e tyre publike thonë se janë ndërmarrë masa.
Rasti mbetet pa epilog pasi që policia ende nuk ka dorëzuar kallëzim penal për ngjarjen në ndeshjen parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, më 3 gusht, ku u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve, shkruan Portalb.mk.
“Për ngjarjet në Kumanovë, MPB ende nuk ka dorëzuar kallëzim penal deri të prokuroria dhe po punon në identifikimin e personave”, thanë nga Prokuroria Publike për Portalb.mk.
Prokuroria ka reaguar pas ndodhisë duke i dhënë udhëzime Sektorit të Punëve të Brendshme të Kumanovës për të hetuar elementët e një vepre penale në thirrjet që përmbanin gjuhë urrejtjeje “nga persona aktualisht të panjohur”.
“Është lëshuar gjithashtu një urdhër për të siguruar pamjet e mbikëqyrjes me video me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm”, na thanë nga prokuroria. Por që nga ajo ditë, asgjë e re për opinionin.
Nga përgjigja e fundit e SPB Kumanovë për Portalb.mk, mësojmë se procesit ende është te “hetimet vazhdojnë”.
“Ju informojmë se Sektori i Punëve të Brendshme – Kumanovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës, po ndërmerr masa për sqarimin e plotë të rastit, pas së cilës do të dorëzohet një raport përkatës”, thonë për Portalb.mk nga SPB Kumanovë.
Përgjigja e fundit e SPB Kumanovë, është e ngjashme me përgjigjen e 8 gushtit, kur nga aty na thanë se: “SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”.
Më 3 gusht 2025, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”. Këto fyerje u bënë në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili së bashku me kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror ishin të pranishëm në sallën ku luhej ndeshja.
Portalb.mk në vazhdimësi ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet për vonesën në nxjerrjen e fajtorësve para drejtësisë. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes.
Kujtojmë se më 3 shtator një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët si pasojë e lëndimeve u dërguan në Spitalin Klinik të Tetovës. Në fund të muaji gusht në Manastir, disa persona të panjohur rreth 20 vjeç iu afruan një personi për t’i zhveshur bluzën që kishte veshur, e cila kishte të vizatuar një kokë shqiponje në pjesën e përparme dhe të pasme. Për të dy rastet kishte reagim të policisë, por nuk dihet se çfarë masash do të ndërmerr prokuroria dhe më pas gjykata. Kurse ende nuk janë zbardhur rastet e thirrjeve raciste anti-shqiptare në ndeshjet sportive në Kumanovë, më 3 gusht, dhe në Kavadar më 25 gusht. (Portalb.mk)