Përfaqësuesi i VLEN, Arbër Kadriu, ka ngritur sot akuza serioze ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, lidhur me një kontratë për marrje me qira të automjeteve gjatë organizimit të Këshillit Ministror të OSBE-së në dhjetor 2023.
Në një konferencë për media, Kadriu prezantoi dokumente që, sipas tij, dëshmojnë për mënyrën korruptive të menaxhimit të fondeve publike nga ana e Osmanit. Sipas kontratës, Ministria ka paguar 56.640.000 denarë për automjete të marra me qira për vetëm dy ditë aktivitet, pa dokumentacion të qartë për numrin real të mjeteve të përdorura apo kontroll të brendshëm.
Çmimet e shërbimeve, sipas VLEN, kanë qenë shumëfish më të larta krahasuar me kontrata të mëparshme për të njëjtin shërbim nga i njëjti operator. Për shembull:
Automjet VIP: 29.000 denarë në ditë (pa TVSH)
Automjet i klasës së mesme: 23.000 denarë në ditë (pa TVSH)
Minivan 8+1: 19.200 denarë në ditë (pa TVSH)
Kadriu tha se vetëm një muaj më herët, MPJ kishte lidhur kontratë me të njëjtin operator me çmim prej vetëm 9.500 denarë në ditë, duke ngritur dyshime serioze për abuzim me paranë publike.
“Nuk ka procesverbal, nuk ka dëshmi sa automjete janë përdorur realisht, nuk ka verifikim të shërbimeve apo kriter të qartë për përzgjedhjen e operatorit. Ky është një model klasik i korrupsionit institucional,” deklaroi Kadriu.
Ai theksoi se këto janë konstatime të Entit Shtetëror të Revizionit, jo vetëm akuza politike, dhe kërkoi hetim të menjëhershëm penal ndaj të gjithë të përfshirëve, përfshirë vetë ish-ministrin Osmani.
VLEN kërkon gjithashtu auditim të plotë të të gjitha prokurimeve në MPJ gjatë mandatit të Osmanit dhe i bën thirrje publikut dhe mediave të shqyrtojnë me vëmendje këtë çështje, të cilën e cilëson si një shembull të qartë të keqpërdorimit të fondeve shtetërore.