Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se autoritetet tashmë kanë identifikuar rreth 20 persona që dyshohet se qëndrojnë pas disa prej zjarreve që kanë përfshirë vendin gjatë muajve të verës. Sipas tij, ekzistojnë indicie të forta se këto veprime janë të organizuara dhe se pas tyre qëndrojnë qendra të fuqishme brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut.
“Janë identifikuar emrat, ka rreth njëzet persona për të cilët ekzistojnë dyshime serioze se janë përfshirë në këtë proces”, tha Mickoski, pa dhënë detaje shtesë.
Por nga ana tjetër, portali “Faktor” njofton se ka kërkuar zyrtarisht përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me deklaratën e kryeministrit – konkretisht, se kush janë këta persona, si kanë vepruar, nëse janë thirrur në intervistim dhe nëse janë iniciuar procedura penale ndaj tyre. Deri në momentin e publikimit, MPB nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare, përcjell INA.
Po ashtu, nuk ka informacion nëse ndonjëri nga këta persona përfshihet edhe në grupin që ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i përmendi si zjarrvënës në zonën e Vardarishtes, ku një pjesë e banorëve jetojnë në një deponi të paligjshme.
Për zjarrin në deponinë “Drislla”, autoritetet deri më tani nuk kanë arrestuar asnjë person, ndonëse dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme janë shprehur publikisht disa herë nga përfaqësues të pushtetit. Në rastin e zjarrit në Trubarevë, katër persona ndodhen në paraburgim, por jo për zjarrvënie direkte, por për rrezikim të ambientit përmes trajtimit të paligjshëm të mbeturinave.
Numri total i personave të ndaluar gjatë verës për rastet e zjarreve në vend ka kaluar shifrën 20. Në korrik, ministri Toshkovski bëri të ditur se një pjesë e të dyshuarve janë pjesë e një grupi të organizuar, ndërsa disa të tjerë janë të mitur.(INA)