Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj një takimi të pretenduar midis kandidatit për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe disa pjesëtarëve të policisë nga Çairi, Saraji dhe Buteli, takim i cili, sipas BDI-së, përbën shkelje të rëndë ligjore dhe përdorim të institucioneve shtetërore për qëllime politike.
Sipas deklaratës së BDI-së, vetë Mexhiti e ka pranuar publikisht mbajtjen e këtij takimi, që sipas tyre është zhvilluar në ambientet e Këshillit të Komunës së Çairit dhe në prani të ndihmësministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Koka, i cili gjithashtu është i afërm familjar i Mexhitit. “Ky është skandal i rëndë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit! Ligji për Policinë përcakton se policia është institucion i pavarur dhe neutral politikisht,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia kërkon publikisht sqarime për:
-
Në çfarë cilësie Mexhiti ka thirrur dhe takuar policët?
-
A ka qenë ky takim me dijeninë dhe autorizimin e ministrit të Punëve të Brendshme?
-
Çfarë është diskutuar dhe a janë kërkuar veprime politike apo presion ndaj qytetarëve?
BDI thekson se nëse këto akuza vërtetohen, atëherë kemi të bëjmë me “përdorim të policisë si instrument politik”, që sipas tyre përbën krim zgjedhor dhe rrezik për rendin demokratik.
“Çairi nuk do të lejojë frikësim e kërcënime! Zgjedhjet e 19 tetorit do të jenë referendum për demokracinë dhe lirinë, jo për shtetin policor të Izet Mexhitit dhe klikës së tij,” përfundon deklarata.
Partia u bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë Publike që të hapin hetime të menjëhershme dhe të informojnë opinionin për motivet dhe përgjegjësit e këtij takimi.