Qemal Krasniqi, ish kryetar i klubi të futbollit Liria e Prizrenit dhe anëtar i Kuvendit në Prizren, ka shkruar se stadiumi i madh i Prizrenit duhet të ndërtohet në një vend tjetër.
Krasniqi jep edhe arsyet sepse duhet stadiumi të ndërtohet diku tjetër dhe jo ku është “Përparim Thaçi”.
“Ndërtimi i stadiumit të ri në vendin ku ndodhet aktualisht ‘Përparim Thaçi’ dhe në këto përmasa është një gabim strategjik dhe urbanistik.
1. Përmasat e projektit
Një stadium me vetëm 7,500 ulëse nuk i përgjigjet madhësisë dhe traditës sportive të Prizrenit. Qyteti ynë me mbi 180 mijë banorë dhe histori të gjatë në futboll e sport, meriton një arenë më të madhe, moderne dhe të përshtatshme për ndeshje kombëtare e ndërkombëtare.
2. Vendndodhja
Hapësira aktuale ku është nisur ky projekt është e ngushtë dhe nuk plotëson kushtet për:
Parkingje të mjaftueshme,
Rrugë hyrëse dhe dalje funksionale,
Hapësira përcjellëse sportive
Ky stadium, i planifikuar më shumë si shëtitore sesa si infrastrukturë sportive, nuk mund të shërbejë interesave afatgjata të qytetit.
Nuk guxon që stadiumi ndihmës të eliminohet e te behet shetitore.
3. Zgjidhja më e arsyeshme
Stadiumi ekzistues duhet riparuar dhe përfunduar në pjesët e mbetura të papërfunduara, për t’i shërbyer klubeve lokale, akademisë së KF Liria, FC Prizrenit dhe klubeve tjera të qytetit.
Ndërkohë, stadiumi i madh i Prizrenit duhet të ndërtohet në një vend tjetër – në periferi të qytetit, ku ka hapësirë për infrastrukturë moderne, me kapacitet më të madh dhe sipas standardeve të UEFA-s.
Si Përfundim;
Ne kërkojmë që institucionet përgjegjëse të rishqyrtojnë vendimin dhe të marrin parasysh nevojat reale të qytetit dhe klubeve sportive”, ka shkruar Krasniqi.