” Prokuroria hesht, por populli nuk do të heshtë”, tha sot Bashkimi Demokratik për Integrim në konferencën për shtyp para Prokurorisë Publike në Shkup, të udhëhequr nga Besarta Alija. BDI i kujtoi opinionit se kanë kaluar muaj që kur kryetarja e Shkupit ka dorëzuar kallëzime penale kundër, siç i quajnë ata, “çiftit më të korruptuar në shtet” – Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu.
“Bëhet fjalë për qindra ndërtime pa leje, dokumentacion të falsifikuar dhe manipulime me pagesat e taksave komunale, por megjithë mijëra dëshmi, Prokuroria ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret. Kush e ka urdhëruar heshtjen e Prokurorisë? Pse po shtyhet drejtësia?”, pyeti Alija, duke shtuar se në opinion ekziston dyshim serioz për pazare politike:
“A është Izet Mexhiti peng i Hristijan Mickoskit? A është dosja për krimin e tij mjet shantazhi, ndërkohë që Mexhiti në këmbim hesht për projektin e ‘Botës Serbe’ në Maqedoni?”. BDI vlerësoi se bëhet fjalë për “tradhti të dyfishtë, tradhti ndaj ligjit dhe tradhti ndaj shqiptarëve”.
“Shqiptarët nuk meritojnë një lider që shet votën e tyre për të shpëtuar veten nga kallëzimet penale. Më 19 tetor, dita e referendumit të shqiptarëve, populli i Çairit do të japë verdiktin. Drejtësia mund të heshtë sot, por atë ditë do të flasë me zë të lartë. Dhe fjala e popullit është më e fortë se çdo shantazh, dosje apo marrëveshje e fshehtë”.